Vrasja e 51 vjeçarit në Shkodër, autor rezulton të jetë kushëriri i tij

Personi që vrau 51 vjeçarin Petrit Vuksani në banesën e tij në Shkodër, rezulton të jetë kushëriri i tij. Policia ka njoftuar së fundmi se autori është identifikuar si shtetasi me inicialet L.V (Lekë Vuksani). Autoritetet janë vënë në ndjekje të autorit tashmë.

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë mesditë në lagjen “Tom Kola”, pikërisht brenda ambienteve të shtëpisë së viktimës. Kushëriri i të ndjerit ka hyrë brenda shtëpisë së 51 vjeçarit dhe e ka qëlluar për vdekje me armë automatike. Më tutje autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Në zonë ka një sërë kamerash sigurie, të cilat kanë regjistruar lëvizjet e autorit.

Ende mbetet i paqartë shkaku i këtij krimi të rëndë. Nga të dhënat paraprake, mësohet se shkak i konfliktit mund të jetë bërë pagesa e qirasë, (autori qëndronte me qira në banesën e të ndjerit). 51 vjeçari Petrit Vuksani kishte afro 1 muaj që ishte kthyer nga Anglia.

“Falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta profesionale hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit P. V. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar, shtetasit L. V., i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin P. V. Vijon ndjekja dhe krehja e zonës, me qëllim kapjen e shtetasit L. V”, thuhet në njoftimin e policisë.