Pamjet, një objekt bie mbi Kremlin… Rusia akuzon Ukrainën për atentat ndaj Vladimir Putin

Autoritetet ruse kanë njoftar së fundmi se kanë rrëzuar dy dronë të cilët kishin për qëllim të godisnin Kremlinin në orët e para të kësaj të mërkure.

BBC shkruan se disa pamje ende të paverifikuara kanë dalë në median sociale, aty ku duket sesi një objekt bie mbi godinën e Kremlinit duke shkaktuar një shpërthim të vogël.

Ukraina vetë deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Zëdhënësi i Presidentit Zelenski u shpreh se shqetësimi dhe fokusi i Ukrainës është çlirimi i territorit të tyre.

Një tjetër zyrtar i tha BBC-së se incidente të tilla mund të jenë shenja të qarta se “Rusia po përgatit provokime terroriste në shkallë të gjerë” në Ukrainë.

Ndërkohë autoritetet ruse thanë se dy dronët që synonin Kremlinin u çaktivizuan duke përdorur asetet elektronike të radarëve të tyre. Zëdhënësi i Putin tha se Presidenti nuk kishte qenë në Kremlin në atë kohë.

Përmes një deklarate, Moska u shpreh se “natën e djeshme, regjimi i Kievit tentoi të godasë rezidencën e Presidentit rus me dronë… ky ishte një akt terrorist dhe një orvatje për t’i bërë atentat Putin”

Redaktori i BBC-së në Rusi Steve Rosenberg, u shpreh se është me të vërtetë e habitshme të mendosh se dronët mund të kenë ardhur kaq pranë Kremlinit, në një kohë kur mbrojtja personale e Putin është mjaft e lartë.