U la në dyert e spitalit në Spanjë në gjendje të rëndë, zbulohet identiteti i 29 vjeçarit të ndjerë

Hetuesit spanjollë kanë mundur të zbulojnë identitetin e një të riu shqiptar i cili humbi jetën disa minuta pasi u braktis në dyert e një spitali në Spanjë. I ndjeri rezulton të jetë Endrit Sina, një person që ka patur precedentë të mëparshëm penalë në Shqipëri por edhe Spanjë.

29 vjeçari ishte arrestuar e liruar mandej me kusht vetëm disa ditë nga momenti kur u braktis në dyert e urgjencës në spitalin Trueta de Girona.

Sinaj ishte arrestuar në La Selva së bashku me një bashkëatdhetar tjetër, në kuadër të një operacioni të trafikut të marijuanës. Ishte mëngjesi i 23 prillit, kur një tjetër shqiptar e la të plagosur (me armë) në bark 29 vjeçarin tek dyert e spitalit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve që u përpoqën për mëse 45 minuta ta rianimonin, i riu ndërroi jetë.

I ndjeri rezultonte se kishte edhe llogari të hapura në Shqipëri, shkrujnë mediat spanjolle. 29 vjeçari ishte pjesë e një grupi grabitësish që ishin arrestuar në tetor të vitit 2020 në Vlorë. I ndjeri së bashku me disa të tjerë kishin tentuar të vidhnin një banesë. Të rinjtë e armatosur dhe të veshur si policë ishin përballë me pronarin e shtëpisë dhe të birin, duke bërë që agresorët të largoheshin.

Autoritetet në atë kohë dërguan për gjykim 5 të rinj, por Sinaj dhe një tjetër i ri fituan lirinë e përkohshme, pas verdiktit për ‘detyrim paraqitje’.