Video, analiza e Ros Atkins për “atentatin me dron” ndaj Vladimir Putin në Kremlin

Redaktori i analizës në BBC, Ros Atkins, ka shpjeguar në detaje videot e publikuara ditën e djeshme në Kremlin, fill pas akuzave të Rusisë se Ukraina tentoi të kryejë atentat ndaj Presidentit Putin përmes dy dronëve ‘kamikazë’.

Atkins e nis analizën e tij duke shpjeguar se nga ajo që duket nga imazhet e videos, kuptohet se pamjet janë të ditëve të fundit. Më tutje gazetari i njohur vë në dukje se në momentin para shpërthimit të objektit, dallohen të paktën dy njerëz që qëndrojnë në kupolën e godinës së Kremlinit.

“Rusia pretendoi se Ukraina tentoi të vrasë Presidentin Putin, në orët e para të së mërkurës. Kjo është video e parë që ne kemi. Është në Moskë. Këtu shohim një objekt që fluturon në të majtë i cili më pas shpërthen. Le të ndalojmë këtu. E dimë që kjo është Moska, sepse pamjet tregojnë Sheshin e Kuq. Mund të shihni që janë ngritur tribuna për Paradën e Fitores javën e ardhshme (9 maj). Nëse e rishohim videon, dallojmë kollaj objektin pak para se të godasë kupolën e ndërtesës së senatit. E pak para shpërthimit të objektit, në video dallohet që ka dy njerëz pikërisht në kupolën e ndërtesës. Nuk e dimë kush këta janë apo se çfarë bënin aty.

Rusia nga ana e saj tha se u sulmua nga dy objekte pa pilotë, pra në fjalë të tjera dronë… ne nuk mund ta konfirmojmë dot këtë gjë. E nëse kjo ishte një video, ka edhe tre të tjera”

Atkins më tutje tregon se ditën e nesërme, Reuters filmoi pikërisht kupolën e ndërtesës së Kremlinit dhe nga pamjet dallohet se objekti nuk ka asnjë shenjë dëmtimi.

Kujtojmë se këtë të enjte në orët e paradites, Rusia akuzoi SHBA-të për përfshirje direkte në atë që ata e konsiderojnë si një atentat të dështuar ndaj Putin.

“Ne e dimë shumë mirë se vendimet për të tilla akte, si ky akt terrorist, nuk merren në Kiev por në Uashington”-tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.

Uashingtoni reagoi duke e konsideruar Peskov-in si “gënjeshtar”. Admirl John Kirby gjatë një bisede me rrjetin MSNBC, tha se deklarimet e Rusisë janë false dhe se SHBA-të nuk kanë asnjë gisht në këtë çështje. Kirby më tutje theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk e inkurajojnë apo ndihmojnë Ukrainën për të goditur jashtë territorit të saj.