I heshtur para trupës gjykuese, 34 vjeçari që i mori jetën Petrit Vuksanit lihet në burg

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 34 vjeçarin Lekë Vuksani, autori i dyshuar i vrasjes së Petrit Vuksanit, 51 vjeçar. Krimi i rëndë ndodhi 4 ditë më parë në banesën e të ndjerit, atje ku 34 vjeçari hyri i armatosur, vrau 51 vjeçarin dhe mandej u largua.

Ne seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Lekë Vuksani nuk ka thënë asnjë fjalë para trupit gjykues. Në vend të tij ka folur avokati mbrojtës, Vladimir Ladaj, i cili kërkoi nga gjykata një vlerësim psikologjik mbi Vuksanin si dhe caktimin e masës “burg me afat”. Gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, për veprën penale të vrasjes me paramendim.

Pas vrasjes, autori i dyshuar doli nga banesa e viktimës dhe për afro 21 orë arriti të fshihej, derisa ditën e nesërme policia dhe forcat speciale RENEA e arrestuan. 34 vjeçari ishte fshehur në mbrëmje në banesën e një gruaje, të cilën e kërcënoi me armë.

Teksa tanimë hetimet janë në fazën e mbledhjes së provave, pista mbetet ajo e përplasjes për çështjen e pagesës së qirasë. Autori dyshuar qëndronte me qira në shtëpinë e viktimës, i cili sapo ishte kthyer nga emigrimi.