Shpërthimi i bombolës së gazit shkatërron banesën e të moshuarve në Kuçovë, 84 vjeçarja gjendet e pajetë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, në banesën e një çifti të moshuarish në Kuçovë. Si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, një pjesë e mirë e banesës së Mustafa dhe Alie Kosovës është shembur, duke i marrë kësisoj jetën gruas 84 vjeçe. Dy të moshuarit jetonin vetëm, ndërsa e ndjera ka mbetur nën rrënoja, në shtrat. E moshuara nuk ka mundur të lëvizë pasi ka qenë e paralizuar.

Forcat zjarrfikëse kanë nxjerrë në kohë 86 vjeçarin, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se bombola rridhte gaz dhe ndezja e një cigareje ka sjellë tragjedinë. Përpos kësaj piste paraprake, do të jenë hetimet ato që do të hedhin dritë të plotë mbi shkakun e vërtetë të kësaj ngjarje të rëndë.

 “Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “11 Janari”, Kuçovë, ku ka shpërthyer një bombol gazi në banesën e shtetasve M.K dhe A.K, shërbimet e Njësisë speciale, të zjarrëfikses dhe të Policisë bënë të mundur nxjerrjen e shtetases A.K, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra kishte ndërruar jetë.

Ndërsa shtetasi M.K, ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në spitalin rajonal në Berat, për momentin në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Grupi hetimor, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftuan autoritetet.