Itali, shokët e shoqet e klasës përcjellin mesazhe dhe lot për 16 vjeçaren shqiptare që u shua nga dora e të atit

Në liceun ku mësonte Xhesika Malaj, shokët e shoqet e klasës kanë derdhur lot trishtimi e dhimbje për ikjen e parakoshhme të shqiptares.

16 vjeçarja ndërroi jetë ditën e djeshme, pasi u qëllua me thikë nga i ati 45 vjeçar. Ky i fundit tentoi të vrasë të shoqen, por e bija i doli në mbrojtje nënës, duke marrë ajo goditjen e thikës.

“Xhesi ishte një vajzë e edukuar. Studionte shumë dhe i qëndronte pranë nënës e vëllaçkos së saj të vogël… e njihja që prej shkollës fillore. Ishim në të njëjtën klasë derisa së fundmi u ndamë prej zgjedhjeve të ndryshme. Klasat tona janë pranë dhe takoheshin shpesh për të biseduar. Xhesi studionte shumë, merrte pjesë në thuajse të gjitha projektet e shkollës. Xhesi ishte e rezervuar për familjen, për problemet familjare nuk fliste asnjëherë”-tregon për “Corriere-n” Marika, bashkëmoshatare e 16 vjeçares së ndjerë.

“Të dhemb ta kujtosh këtë ngjarje… Xhesi ishte një vajzë e mirë, e takoja çdo ditë… nuk është e drejtë ajo që i ndodhi”-tha Françeska, një tjetër mikeshë e shqiptares, e cila teksa fliste, s’mundi t’i mbajë dot më lotët.

Shkolla ku studionte shqiptarja mbajti një minutë heshtje në nder të saj

“Sot është një ditë e trishtë për ne, jemi në dhimbje. Xhesi ishte një vajzë shumë e mirë, gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë”-tha një tjetër studente.