Historia e infermires që adoptoi nënën adoleshente dhe trinjakët e saj: Kam 5 fëmijë vetë, dashuria për ta më shtyu

Në spitalin e Indianapolis, infermierja Katrina Mullen, punonjëse në sektorin e kujdesit intensiv për të porsalindurit, ka një reputacion për të bërë çmos për nënat. Por se ku arriti të shkojë kjo infermiere për një nënë 14 vjeçare dhe trinjakët e saj, me gjasë është e pakrahasueshme.

“Të kesh atë moshë të vogël dhe të përballesh me tre foshnje që lindën para kohe dhe të sëmurë… do të ishte një rrugë tepër e vështirë për të”-thotë infermierja, Katrina.

Vetë infermierja kishte sjellë në jetë fëmijët në moshë të re dhe i kuptonte më së miri vështirësitë e të qenit nënë. Edhe pasi trinjakët dolën nga spitali, Katrina i doli në krah nënës së re, të quajtur Shariya Small. Infermierja shkonte shpesh për vizitë tek adoleshentja dhe përherë me vete kishte dhurata për trinjakët e saj. Nga biberonët e rrobat, deri tek këshillat e të tjera sende me vlerë për nënën e re.

“Nuk e di sesi ta shpjegoj, por e doja atë vajzë, i doja ata fëmijë dhe kisha dëshirë të shihja Shariyan që t’ja dilte, të bëhej një prind i mirë”-tregoi infermierja.

Për adoleshenten, mbështetja e Katrinës ishte diçka e re për të. Shariya Small nuk kishte një shtëpi të përshtatshme për fëmijët, e kësisoj departamenti i shërbimit për fëmijët ndërhyri. Ata nisën të kërkojnë për një familje adoptuese…

Ishte pikërisht ky momenti, kur në celularin e adoleshentes, nënës së trenjakëve, vjen një mesazh nga infermierja. Në të shkruhej veçse: “Mezi po pres që ti dhe fëmijët të vini në shtëpi”

Infermiere Katrina Mullen, vetë nënë e 5 fëmijëve, vendosi t’i marrë në shtëpi trinjakët dhe nënën adoleshente… e ti japë vetëm dashuri.

“Ka qenë shumë shumë e lodhshme… por kurrë e për asnjë moment nuk kam menduar të kundërtën e asaj që bëra”-shpjegoi infermierja.

E pasi i mori në shtëpi trinjakët e nënën e tyre, infermierja shkoi edhe një hap më tej duke adoptuar ligjërisht Shariyan. Tanimë adoleshentja përfundoi shkollën e mesme dhe planifikon të nisë studimet… gjithçka falë dashurisë që buroi nga zemra e një infermiere.

Burimi: CBSnews/On the Road/ Përshtati: FCH.al