Operacioni i vështirë për nxjerrjen e dy turisteve të ndjera në Valbonë, kishin rënë nga 150 m lartësi

Pas shumë orësh punë dhe ndërhyrjes së shërbimit të Kërkim-Shpëtimit malor të Kosovës, autoritetet kanë mundur të nxjerrin nga gremina ku kishin rënë për vdekje dy turiste të huaja, pranë zonës së njohur si “Qafa e Valbonës”.

Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille nga Franca, kishin ardhur për të eksploruar Valbonën. Nga sa është mësuar, vajzat së bashku me të dashurin e njërës prej tyre, nuk kishin marrë një shoqërues (njohës të zonës).

Tanimë trupat e dy grave janë rikuperuar, kjo falë edhe ndihmës së ekipit të kërkim- shpëtimit nga Kosova. Ilir Zhegrova, një prej anëtarëve në fjalë, tregoi për “Klan Kosova” se dy turistet kishin rënë nga një lartësi prej 150 metrash. Zhegrova shtoi më tutje se edhe ekipi i kërkim- shpëtimit rrezikoi për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe kushteve atmosferike.

“Për fat të keq nuk kanë mundur të mbijetojnë prej plagëve të marra. Kanë rrëshqitur në qafën e Valbonës, kanë rënë në një humnerë. Kemi bërë transportimin e viktimave deri në Rragam dhe mandej i kemi dorëzuar trupat tek autoritetet shqiptare. Ne e kemi marrë thirrjen nga autoritetet në orën 1 e gjysëm. Kemi vijuar në drejtim të Valbonës, jemi mobilizuar. Terreni në qafë ka qenë shumë i vështirë, me borë, me akull. Na është dashur përdorimi i ankorimeve e mjeteve të ndryshme me arrit deri tek viktimat. Ka patur edhe shembje të gurëve e jemi rrezikuar dhe ne. Kemi mundur t’i lokalizojmë viktimat e t’i zbresim me litarë, duke i zbritur deri poshtë. Dyshohet dikund tek 150 metra lartësi që të kenë rënë. Turistet kanë qenë në qafë të Valbonës dhe aty në atë pjesë kanë rrëshkitur, duke rënë 150 metër poshtë. Ato kanë patur dhe një djalë, i dashuri i njërës prej viktimave, por ai fatmirësisht ka shpëtu me disa lëndime shumë të vogla. Ne si kërkim shpëtim i Kosovës kemi qenë dikund tek 10 persona dhe kërkesa për ndihmë ka ardhur prej njësisë policore të Bajram Currit.”-tha Zhevroga për Klan Kosova.