Popullsia në Kosovë po tkurret, me shqetësim shihet largimi i rinisë pas liberalizimit të vizave

Shifrat e viteve të fundit tregojnë se numri i lindjeve në Kosovë është në rënie. Të dhënat dhe shqetësimi për tkurrjen e popullsisë janë vënë në dukje së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Shifrat tregojnë që në vitin 1986 në Kosovë kanë qenë 56 mijë e 283 lindje, ndërsa vitin 2019 kanë qenë 25 mijë e 794.

Në vitin 2020 norma e fertilitetit në Kosovë rezulton të ketë qenë 1.7, ndërsa disa dekada më parë 6.4 (viti 1960). Këto dy shifra tregojnë se numri i popullsisë është në rënie e sipër.

 “Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë, kjo lidhte me fertilitetin dhe migrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit kanë marr hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie edhe migrimi është në rritje”, tha Ilir Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtuesit të ASK-së.

Një tjetër shqetësim serioz, mbetet largimi i rinisë, veçanërisht tanimë që Kosova shumë shpejt liberalizon vizat. Shqetësimin e vuri në dukje drejtuesja e zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujku-Nimani.

 “Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodh sepse popullsia po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtete tjera që janë prekur, çfarë masash duhet të merren dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindërorë. Ne si Kosovë po presim se çka do të ndodhë me liberalizim vizash tani, ku gjysma e të rinjve do të largohen”, është shprehur ajo.