Kurrsesi nuk harron të shprehet falenderues për sakrificat që prindërit e tij bënë, në një kohë të vështirë për të gjithë shqiptarët e Shqipërinë.
“Unë kam mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë. Dua t’i falenderoj mësuesit e mi, sepse kanë qenë shumë të përgatitur. I kam mbaruar studimet me shumë sakrificë, në vitin ’92. Me prindër që kanë bërë shumë sakrifica për mua, për të studiuar.”
Kështu tregon doktor Shpëtim Baçi, i cili në vitin 2000 vendosi të emigrojë për një jetë më të mirë me të shoqen dhe djalin e tyre të vogël. Në një rrëfim për “abc e mëngjesit”, dr. Baçi tregoi se për disa vite punoi si mjek në Shqipëri dhe mandej u largua në Itali, atje ku e shoqja kishte nisur studimet si infermiere.
“Kam punuar si mjek ushtarak në marinën e Vlorës. Unë punova 7 vjet, dy vjet në Pasha Liman dhe më pas 5 vjet si shef shëndetësie në distriktin detar të Vlorës. Në 2000 u nisa në Itali sepse nusja filloi të studionte atje si mami-infermiere.
Ne ishim të martuar, kishim dhe një djalë, por për t’u bashkuar me familjen, lash punën në Shqipëri dhe erdha në Itali. Si fillim, 6 muaj kam studiuar për të mësuar gjuhën. Pas studimeve, u transferova tek të afërmit e mi për të vijuar universitetin mjekësor, sepse diploma jonë nuk njihej.”-tregoi mjeku.
E një detaj interesant i të gjithë rrugëtimit të mjekut, ka qenë fakti se kur shkoi në Itali veçse studimeve, dr Baçi punoi si sanitar.
“Jam takuar me drejtorin e spitalit ku punoj tani dhe i kam thënë ‘po punoj si pastrues në një palestër. Jam i gatshëm i thashë, që të paktën të punoj si pastrues në spital.’ Ai buzëqeshi dhe më tha, po patjetër hajde puno që nesër. Kam 21 vjet në këtë spital.”-tregoi Baçi.
Mjeku mandej shtoi se për të paktën dy vite, ai ka punuar si pastrues e njëkohësisht ka studiuar për mjekësi e gjuhën, pasi shumëçka nga diploma shqiptare, nuk njihej nga shteti italian.
“Në Parma, pasi panë programin e universitetit të Tiranës, bëra dy vite shkollë dhe një sërë provimesh. Në 2002 u diplomova si mjek kirurg në Parma. Mandej bëra praktikën dhe që nga shtatori i vitit 2003 kam punuar si mjek këtu, ku tani jam shef pavioni.
Si shumë shqiptarë, me vështirësi kemi ecur përpara. Unë vendosa të bëj çfarëdolloj pune dhe për dy vite rresht, kam fjetur veçse 4 orë. Punoja si sanitar në sallë të operacionit në darkë, ndërsa në mëngjes studioja. Puna si sanitar për mua ishte e kënaqshme, sepse më lejonte të studioja dhe të merrja rrogë. Provimet i kam kaluar shpejt pasi isha i përgatitur dhe i shkolluar, por gjuha, që nuk e dija, ka qenë po themi e vështirë në fillim.
Aktualisht jam shefi i repartit të mjekësisë së përgjithshme, në një spital në Parma. Këtu është një komunitet i madh shqiptarësh, që janë sistemuar, e integruar në Itali. Shumë prej tyre, janë pacientë të mi.”-shpjegoi doktori.