Merr paratë ndërsa letrat ia hedh në fytyrë punonjësit, pamjet video nga grabitja e një poste në Tiranë

Hyn në postë me kokoren e motorit në kokë dhe kërcënon me një thikë punonjësin… merr paratë dhe largohet qetësisht pasi i hedh në fytyrë punonjësit një tufë me letra.

Ka përfunduar arratia e një 27 vjeçari në Tiranë, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa grabit një postë private në kryeqytet. Autori kishte arritur të vidhte një sasi të konsiderueshme parash.

27 vjeçari kishte mbërritur në postën që grabiti me motorin me të cilin shpërndante pica. Policia e ka kryer arrestimin në momentin kur ai është rikthyer sërish tek puna.

Njoftimi i policisë:

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari që mori një shumë parash në filialen e një poste private, duke kanosur punonjësin e postës, me mjet preës (thikë).

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës (thikë) dhe veshjet që ka patur autori gjatë ngjarjes, si dhe motomjeti me të cilin ai është larguar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, ku një shtetas mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me mjet prerës (thikë) dhe më pas u largua me motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Filiali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:

O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u bë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, i cili më datë 17.05.2023, rreth orës 21:15, hyri në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, mori xhiron ditore duke kanosur me mjet prerës thikë, punonjësin e postës, dhe më pas u largua me motomjet.

Shuma e parave të vjedhura nga shtetasi O. M. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin prerës thikë që ai ka përdorur për kanosjen, veshjet e tij gjatë vjedhjes dhe motomjetin me të cilin është larguar.

Materialet proceduale në ngarkim të shtetasit O. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.