Shkëncëtarë e studiues nga Universiteti i Londrës (UCL) kanë identifikuar sesi një mutacion gjenetik tek një grua e moshuar, e ka lejuar atë të mos ndjejë më dhimbje.
Mutacioni i ndodhur në gjenin FAAH, e ka lejuar gruan e quajtur Xho Kameron (Jo Cameron) që prej kohësh tashmë, të mos ketë asnjë ndjesi dhimbje, pavarësisht problemeve shëndetësore e moshës së thyer.
Profesor James Cox, i departamentit të mjekësisë në UCL, shpjegoi se “duke kuptuar saktësisht çfarë po ndodh në nivelin molekular, ne do të mund të kuptojmë më tej biologjinë e cila hap një seri me mundësi të reja për të krijuar barna që një ditë, do të kenë impakt tepër pozitiv për pacientët”
Rasti i 75 vjeçares që jeton në Skoci, është mjaft i rrallë. Gruaja tregon se nisi të mos përjetojë dhimbje kur ishte 65 vjeçe, kohë në të cilën ajo kreu një ndërhyrje në legen dhe nuk pati asnjë dhimbje… edhe pse ndërhyrja e trajtimi më pas, normalisht kanë dhimbje të mëdha.
Fillimisht rasti u ngjit në titujt kryesorë të shumë mediave në vitin 2019, ndërsa tanimë me studimin e mëtejshëm të mutacionit, studiuesit kanë mundur të kuptojnë edhe më shumë me gjenin FAAH, përgjegjës për asociimin me dhimbjet, gjendjen e humorit dhe memorjen.
Ajo që zbuloi ekipi i studiuesve, ishte se nivelet e këtij gjeni, ishin dukshëm të reduktuar në rastin e 75 vjeçares. Përmes një mostre të indeve, studiuesit vunë re po ashtu dhe rritjen e aktivitetit të një gjeni tjetër i njohur si WNT16, i cili është i lidhur me gjenerimin e kockave.
“mendoj se këto gjetje do të kenë implikime të rëndësishme në fushën e kërkimit për kurimin dhe ripërtëritjen e plagëve, depresionit dhe më shumë se kaq”-shpjegoi doktor Andrei Okorokov i cili mandej shtoi “gjeni FAAH-OUT është veçse një cep i vogël i një kontinenti të tërë, të cilin studimi ka nisur ta hartojë”