Prej vitesh Blerim Mujaj jeton në Belgjikë, atje ku ushtron profesionin e mjekut. Por historia e familjes dhe shtëpisë së tij, është me të vërtetë interesante. Shtëpia e Mujajt, shërbeu për disa vite si fakultet i mjekësisë, në një kohë kur Kosova ndodhej nën represionin e mandej pushtimin serb.
Në një rrëfim për abcnews, dr. Blerim Mujaj ka rrëfyer historinë unike të shtëpisë së prindërve, e cila nxorri plot 823 mjekë. Doktori kujton sesi në vitet ’90, arsimi u suprimua nga okupatori serb dhe shumë shtëpi qytetarësh e intelektualësh, u shndërruan në vendet ku mësohej shqip e jepej dije. Mes tyre edhe shtëpia e familjes së doktorit, që shërbeu për afro 1 dekadë për studentët e profesorët e mjekësisë.
“Ishin rrethanat e tilla. Kosova u pushtua nga forcat serbe dhe gjithë jeta u suprimua. Targeti i asaj kohe ishte mbyllja e institucioneve arsimore. Babai im ka kontribuar në arsimin e asaj kohe dhe sigurisht ishte i mendimit se arsimi ishte një pikë kyçe për të cilën Kosova nuk duhej të dështonte. Në atë kohë, filloi lëvizja për rifillimin e arsimit shqip në Kosovë, e babai iu bashkua asaj nisme. Ishte një nismë vullnetare, ku njerëz ofroheshin për të dhënë shtëpitë e tyre e çka kishin. Ne ishim një familje që kontriboi në këtë frymë. Babai u ofrua që ta ndihmojë vazhdimin e arsimit të Kosovës dhe sigurisht me organizimin e asaj kohe, fati ndoshta deshti që shtëpia jonë të përzgjidhej për të qenë fakultet i mjekësisë. Më pastaj, edhe familje tjera u ofruan të ndihmojnë, por ne ishim të parët që e bëmë një hap të tillë.
Unë në atë kohë kam qenë 10- 11 vjeçar dhe sigurisht nuk isha shumë i vetëdijshëm për atë që ndodhte. Kam memorje të freskët të asaj kohe, sepse e ruaj si një kujim të rëndësishëm. Kam lindur e jam ritur në atë shtëpi e në atë kohë ishte një ndryshim shumë i madh. Aty kishim dhe shqiptarë nga Maqedonia, Lugina Preshevës, Ulqini etj. Ishte një frekuencë e jashtëzakonshme e njerëzve, e shtëpia u transformua komplet.
Për prindërit ka qenë e vështirë… për shembull brenda ditës dhomat transformoheshin në vend provimesh, mësimi etj. Kujtoj që delegacionet e Kryqit të Kuq vinin shpesh tek shtëpia. Shumë takime të nivelit të lartë mbahej në shtëpinë tonë. Jam shumë krenar për atë punë, por foto nuk na kanë mbetur. I gjithë arkivi i fotove ka humbur sepse shtëpia ishte target i okupatorit në atë kohë.
Ne u detyruam të largoheshim kur nisi lufta, sepse kemi qenë të targetuar me represione të formave të ndryshme. Gjatë periudhës së luftës, shtëpia u transformua si punkt i forcave të policisë. Shtëpia fatkeqësisht nuk është bërë muze. Institucionet e Kosovës fatkeqësisht nuk i kanë ndjekur hapat për ta bërë institucion muzeik atë shtëpi.
Një moment më kujtohet, kur vëllai im u arrestua në vitin ’94. Policia serbe kishte organizuar një rrethim të shtëpisë në mënyrë të fshehtë dhe ne nuk ishim në dijeni. Kur u zgjuam, e gjithë shtëpia u bllokua dhe i vetmi që u arrestua ishte vëllai, i cili u mbajt për dy ditë në stacionin e policisë.
Në atë kohë u konfiskuan edhe materialet e mes tyre dhe vaksina e tjera gjëra të dhuruara nga Kryqi i Kuq për Kosovën.”-tha mjeku.