Një 40 vjeçar i quajtur Gert-Jan Oskam, mundi të ecë për herë të parë pas 12 vitesh qëndrim në karrige me rrota… gjithçka falë një implanti elektronik të vendosur në trurin e tij.
Vetëm duke menduar mbi ecjen, Oskam mundi të lëvizë këmbët, në atë që ai e quan një arritje që i ka ndryshuar jetën.
“Më duket vetja si një foshnje, teksa mësoj sërish sesi të eci. Tani mund të qëndroj në këmbë dhe të kaloj kohë me miqtë. Është një kënaqësi që njerëzit e marrin për të mirëqenë”-tha 40 vjeçari në intervistë për BBC-në.
Oskam pësoi një aksident të rëndë teksa bënte çiklizëm 12 vite më parë, aksident që e la në një karrige me rrota.
Implanti elektronik transmeton sinjalet në mënyrë “wireless” në këmbët e 40 vjeçarit, falë vendosjes së një tjetër implanti të dy në pjesën e shtyllës kurrizore. Sistemi në fjalë është ende në fazën eksperimentale, por deri më tani rezultatet janë “shumë inkurajuese”.
Rasti u publikua dhe në revistën e njohur “Nature” ndërsa teknologjia u zhvillua nga studiues zviceranë. Neurokirurgia Jocelyne Bloch, e Universitetit të Lausanne, tregoi se ndërhyrja për vendosjen e implanteve ka qenë delikate dhe se deri më tani, teknologjia është në stadet e para.
“Gjëja me rëndësi për ne nuk është pasja e një eksperimenti, por arritja tek njerëzit që nuk ecin e që janë mësuar tashmë të dëgjojnë doktorët, se duhet të mësohen me idenë se nuk do të ecin kurrë më”-tha mjekja kirurge.
Ndërhyrja për të rikthyer aftësinë për të ecur tek 40 vjeçari u bë duke hapur dy vrima të vogla në kafkën e të riut, në zonat përgjegjëse për lëvizjen. Implantet të cilat funksionojnë ‘ëireless’ bëjnë të mundur transmetimin e sinjaleve drejt legenit e këmbëve, atje ku u vendos një tjetër implant. Shkencëtarët zviceranë arritën të krijojnë një algoritëm që përkthen këto sinjale në “instruksione” për lëvizjen e këmbëve dhe muskujve, me ndihmën e një implanti të dytë në shtyllën kurrizore.
Brenda pak kohësh, 40 vjeçari arriti të ngrihet në këmbë dhe të ecë sërish me ndihmën e një mbajtëseje.
Qëllimi i shkencëtarëve tanimë është zhvillimi i mëtejshëm dhe miniatur-izimi i teknologjisë, në mënyrë që kjo e fundit të bëhet më praktike dhe e përdorshme çdo ditë.