Gaz lotsjellës dhe të shtëna në Zveçan, çfarë po ndodh në veri të Kosovës

Është tensionuar sërish situata në veri të Kosovës, teksa këtë të premte kryetarët e zgjedhur (shqiptarë) të komunave të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, bëheshin gati për të hyrë në ndërtesat komunale. Siç raporton Radio Evropa e Lirë, policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë banorët serbë, të mbledhur në hyrje të objektit komunal në Zveçan, për të mos lejuar hyrjen e drejtuesit të ri të pushtetit vendor. Po në Zveçan, disa media kosovare raportojnë se ka patur edhe të shtëna.

Paraprakisht, policia njoftoi se është “duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.

Udhëheqësit që u zgjodhën pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme (të bojkotuara nga politika serbe) u betuan një ditë më parë, ndërsa tanimë hyrja e tyre në objektet komunale ka shfaqur në rezistencë.

Një tjetër element shqetësues duket fakti se Serbia po përgatitet për vendosjen e bllokadave në veri, ndërsa REL raporton se disa kamionë janë parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit.

Në Zubin Potok ndërkohë, një prej ish këshilltarëve komunalë, Milija Bishevac, tregoi për REL se qytetarët janë mbledhur para odinës pasi janë të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.

Policia e Kosovës ndërkohë bëri një reagim duke thënë se ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.”-thuhet në njoftim.

Kujtojmë se më datë 23 prill, në 5 komunat veriore u mbajtën zgjedhje pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga politika e popullata serbe, e cila tanimë nuk pranon rezultatet dhe legjitimitetin e kryetarëve të rinj komunalë.