Tensionet në veri të Kosovës, serbë të maskuar sulmojnë me gurë ekipet e xhirimit nga Shqipëria

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë e tensionuar e këtë të martë, dhunës nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as ekipet e xhirimit të mbërritura nga Shqipëria. Ekipet e dy televizioneve shqiptare (A2cnn dhe News24/Panorama Tv) janë sulmuar nga serbe të maskuar me gurë dhe sende të forta.

Makinat e dy televizioneve janë dëmtuar rëndë, ndërsa fatmirësisht gazetarët dhe pjesa tjetër e ekipit të xhirimit kanë shpëtuar pa lëndime.

Ngjarjet kanë ndodhur në Leposaviq.

“Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviçit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar.

Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare.

Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda.”, u shpreh gazetari i A2 CNN.