700 trupa janë nisur, NATO e gatshme të “blindojë” Kosovën edhe me më shumë prezencë ushtarake

NATO e ka shprehur gadishmërinë e saj për të dërguar edhe më shumë trupa në veri të Kosovës, një sinjal ky që shërben për të ulur tensionet e shtuara ndjeshëm përgjatë kësaj jave. Këtë të enjte shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të mbetet vigjilente dhe do të sigurojë një mjedis të sigurt. Ai shtoi se tanimë 700 trupat e parë përforcues, janë rrugës për në Kosovë.

“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.

Ndërkohë në veri të Kosovës vijojnë edhe këtë të enjte protestat e palës serbe në tre komunat e Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut.

Ndryshe nga herët e tjera, ka dhe një tubim nga qytetarët shqiptarë, të cilët janë mbledhur në Mitrovicën e Jugut në shenjë të mbështetjes e përkrahjes së policisë së Kosovës e KFOR-it.