Senatori i SHBA-ve prezanton hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Senatori amerikan Chris Murphy, njëkohësisht anëtar i komisionit për Punë të Jashtme të Senatit, ka prezantuar disa hapa, përmes të cilave do të duhet arrirë ulja e tensioneve në veri të Kosovës.

Duket se ndërkombëtarët tanimë kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, por edhe disa lëvizje të tjera politike. Përmes një postimi në rrjetin social, senatori amerikan shkruan për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve, largimin e forcave speciale të Kosovës nga komunat veriore, përfundimin e protestave nga ana e serbëve si dhe implementimin e marrëveshjeve Kosovë- Serbi, veçanërisht implementimin e të ashtuquajturit asociacioni.

“Disa nga elementët më të rëndësishëm të de-përshkallëzimit: – Policia speciale e Kosovës tërhiqet/Serbia ndërmerr hapa realë për t’i dhënë fund protestave – zgjedhjet e reja të planifikuara – qasja në ndërtesat komunale e kufizuar për nëpunësit civilë – marrëveshjet e mëparshme Serbi/Kosovë të respektuara, duke përfshirë ASM (Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe), ka shkruar Muphy.

Më herët senatori amerikan u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal

Murphy u takua me Kurtin më 22 maj e ndër të tjera deklaroi se Rusia po përpiqet të gjejë mundësi për të nxitur trazira në veriun e Kosovës e në rajon.

“Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

Senatori amerikan deklaroi po ashtu se me t’u qetësuar situata në veri të Kosovës, aktorët politikë do të duhet të kthejnë vëmendjen tek zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.