Pesë muaj, 8 gra të vrara në Shqipëri

Në 5 muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri kanë humbur jetën 8 gra, pjesë më e madhe për shkak të dhunës në familje.

E para grua e cila humbi jetën, ishte një e moshuar. Zeqine Sinani u qëllua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 80 vjeçar në Gramsh. Burri qëlloi për vdekje dhe të vëllanë. Ngjarja ndodhi në fund të muajit janar.

Pesë ditë më vonë, i gjithë vendi do të tronditej nga vrasjet makabre të Dan Hutrës. I ftohtë dhe kalkuluar, Dan Hutra do të vriste 3 gra si dhe plagoste 3 të tjerë. Jetën e humbën Mevlute Hysa, motra e ish bashkëjetueses si dhe Hasime Dafku, kunata e të fundit. Pas krimit të rëndë në familjen e ish bashkëshortes, Hutra shkoi në banesën e Vladimir Kurtit, i burgosur përjetë dhe person me të cilin Hutra kishte patur konflikt në qeli. Atje Dan hutra qëlloi për vdekje Etleva Kurtin.

Më 12 mars, do të shënohej vrasja e radhës. Në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit, do të humbte jetën banakierja Mimoza Paja. Gruaja nuk ishte objekt i atentatit, por dhimbshëm e tragjikisht, ajo mbeti viktima e vetme. Paja punonte në lokal për të nxjerrë bukën e gojës e atë natë me vete kishte dhe mbesën e vogël për të cilën kujdesej.

Në muajin prill u shënua vrasja e radhës. Roland Sinani vrau me armë nusen e vëllait të tij, Migena Sinanin. 37 vjeçarja flinte me të birin e mitur në momentin kur kunati e ka qëlluar me armë, ndërsa i shoqi i të ndjerës ishte në punë (turni i tretë si taksist).

Numri i vrasjes së grave u shtua edhe më tej përgjatë majit e qershorit. Më 17 maj, Alma Qevani u qëllua me sëpatë nga kunati i saj, pas një debati për motive banale.

Ndërsa tre ditë më parë, Zeniat Muhollari humbi jetën nga duart e të birit, i cili mbyti nënën me një qese plastmasi.

Gjithsej që në janari deri më tani, në të gjithë vendin kanë ndodhur 18 vrasje që kanë shkaktuar 21 viktima. 7 prej këtyre ngjarjeve janë krime në familje.