Ngjarja tronditëse në Francë: 31 vjeçari, vetë baba, qëllon me thikë 4 fëmijë e 2 të rritur

Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të enjte në një park lojërash për fëmijë në Annecy të Francës, atje ku një person i armatosur me një thikë, ka qëlluar fëmijë e të rritur.

6 persona kanë mbetur të lënduar, 4 fëmijë dhe dy të rritur siç raporton BBC-ja. Dy prej fëmijëve dhe një i rritur raportohet të jenë në gjendje kritike për jetën.

Një prej fëmijëve është veçse 22 muajsh dhe është goditur njëlloj me thikë nga 31 vjeçari.

Autoritetet tanimë e kanë arrestuar personin me origjinë nga Siria, i cili rezulton të mos ketë patur asnjë precedent penal apo rekord të problemeve psikike.

I riu ishte me status azilanti në Suedi dhe përpara arrestimit është qëlluar në këmbë nga autoritetet, mandej është prangosur.

Organi i akuzës në Francë shpjegoi se 31 vjeçari ka vetë një fëmijë në moshë të mitur, njëlloj si njëri prej fëmijëve që ai ka qëlluar me thikë.

Prokurorja e çështjes theksoi se 31 vjeçari nuk ka patur asnjë motiv terrorist, raporton France24.

“Ashtu siç janë faktet deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për të sugjeruar se ky akt ka patur motivim terrorist”-tha Bonnet-Mathis, prokurorja publike e Annecy.

Në lidhje me të plagosurit, dy prej 4 fëmijëve të lënduar janë shtetas nga Britania e Holanda, shpjegoi mandej prokurorja e çështjes.