Zvicër: 34 vjeçarja shqiptare kthehet në heroinën e ditës, shpëton 4 vjeçarin në pishinë

Nazlie Selimaj, një 34 vjeçare me origjinë nga Kosova, është kthyer në heroinën e ditës në Zvicër, atje ku ka mundur të shpëtojë nga mbytja një fëmijë 4 vjeçar.

Ngjarja ndodhi në Wil të Zvicrës, në një pishinë. Selimaj ndodhej atje me të shoqin, dy djemtë e saj 5 e 9 vjeçarë si dhe familjen e të motrës

“Im shoq vuri re një burrë që vrapo në mes të pishinës dhe prej aty nxorri nga uji të birin, e mbante në krahë teksa vetë ishte në gjendje të shushatur”-kujton Selimaj.

Siç shkruan media vendase, Nazlia është infermiere dhe vendosi të ndërhyjë menjëherë në ndihmë të vogëlushi, veçse 4 vjeçar. Gruaja nisi masazhin kardiak dhe pas pak momentesh fëmija nisi të marrë frymë sërish.

“E kapa nga krahët fëmijën dhe vura re se nuk ishte mirë. Nuk po i gjeja puls e kësisoj nisa mazashin kardiak… Në atë moment, babait të fëmijës i ranë të fikët.  Nëna e djalit ishte po ashtu aty. Pasi fëmija erdhi në vete, ia dorëzova nënës. Kishte ende një ndjenjë dyshimi, pasi fëmija ishte i zbehtë dhe gishtat i kishte blu.”-tregoi 34 vjeçarja, e cila mandje thirri ambulancën.

4 vjeçari u dërgua në spitalin e fëmijëve dhe rezultoi se kishte patur dukshëm mungesë oksigjeni në gjak. Pas trajtimit, gjendja e tij u përmirësua, ndërsa 34 vjeçarja tregoi për median zvicerane se “u lehtësua” pasi mësoi se djali ishte mirë me shëndet.

Babai i 4 vjeçarit e falenderoi përzemërsisht gruan shqiptare. Nga ajo që mësoi media vendase, rezultoi se 4 vjeçari kishte qenë duke luajtur në ujë me vëllanë e papritur kishte hyrë në një gjendje shoku, duke rënë në ujë.