Ishte një ditë verbuese vere në Antarktidë. Me qepikët që i kishin zënë akull, Samantha Hansen hodhi sytë drejt një peisazhi pa asnjë shenjë relievi: Përpara një mur i bardhë, njëlloj si poshtë e lartë dhe toka që ‘shkrihej’ pa shumë zhurmë me qiellin. Në mes të këtyre kushteve çorientuese me temperatura në minus 62 gradë celcius, ekipi identifikoi një zonë të mirë për të vendosur aparaturat.
Hansen kishte hyrë në brendësi të kontinentit të ‘braktisur’, shumë larg zonave ku turistët e apasionuar kalojnë për të parë bukurinë e shkretëtirës më të madhe të globit. Si pjesë e një ekipi studiuesish nga Universitetet e Alabamës e Arizonas, Hansen dhe të tjerë, vendosën në këtë zonë disa pajime për të matur aktivitetin sizmik në thellësitë e planetit tonë. Përgjatë Antarktidës, ekipi vendosi 15 pajime të tilla.
Falë këtyre pajisjeve, u vu re se në brendësinë e planetit tonë, ka disa struktura që ende sot e kësaj dite mbeten mister. Strukturat kanë formën e vargmaleve dhe njihen si ULVZ (ultra-low velocity zones).
Gjetëm evidenca se këto struktura ndodhen kudo ku pamë nëpër botë. Pyetja është, çfarë janë dhe për çfarë shërbejnë?
ULVZ-të janë në të shumtën si vargmalet në sipërfaqe, ndërsa vendodhja e tyre është mes mantelit dhe bërthamëws së planetit, mbi 2 mijë kilometra në brendësi të Tokës.
Këto vargmale të ‘varrosura’ thellë në planetin tonë, në shumë raste, i bëjnë malet në sipërfaqen të duken si ‘xhuxhë’. Disa prej tyre arrijnë në lartësi prej afro 40 kilometrash, thënë ndryshe 4.5 herë më të larta se pika më e lartë (Everesti) në sipërfaqe.
Këto struktura misterioze, u zbuluan nga shkencëtarët në fund të shekullit të XX, kur po zhvilloheshin studime të aktivitetit sizmik në oqeanin Paqësor. Falë valëve të tërmeteve, të cilat regjistroheshin në stacionet sizmike, studiuesit mundën të krijojnë një “hartë” të relievit në zonën mes bërthamës e mantelit të Tokës. Duke studiuar valën e shkaktuar nga fuqia e tërmeteve, shkencëtarët arritën të kenë një ‘fotografi’ me rreze-x të brendësisë së planetit.
Në këtë kohë (viti 1996) u zbulua prezenca e një maje ‘mali’ me lartësi 40 kilometër. Disa struktura tjera kishin lartësi prej veçse 3 kilometrash, por shtriheshin në mënyrë masive përgjatë 910 kilometrave. Ky vargmal u evidentua në zonën poshtë “këmbëve” të ishujve të Hawaiit.
Ende sot e kësaj dite, askush nuk e di se çfarë janë këto struktura, nga çfarë janë të përbëra dhe çfarë ‘qëllimi’ kanë.
Disa shkencëtarë kanë spekuluar se këto struktura mund të jenë mbetjet e lashta të kores oqeanike që është shtyrë poshtë në brendi të planetit (mantel). Disa tjerë mendojnë se këto struktura janë pjesë e mantelit që është tejnxehur nga bërthama e Tokës.
E për t’i shtuar edhe më tutje misterin këtyre strukturave, në brendi të planetit tonë ka disa zona të njohura si “njolla” (blob). Si këto struktura në Tokë janë zbuluar vetëm dy dhe janë masive. Njëra ndodhet poshtë ‘këmbëve’ të Afrikës dhe tjetra në Paqësor.
Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al