I shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e Stiven Toshkezit, shoqërohet në polici djali i Admir Muratajt

Arbër Murataj, i shpallur në kërkim policor në lidhje me vrasjen e të riut Stiven Tokshkezi, është shoqëruar këtë të hënë në ambientet e drejtorisë vendore të policisë së kryeqytetit. I riu ka dhënë deklaratën e tij dhe mandej është lënë i lirë. Arbër Murataj është djali i Admir Murataj, grabitësit që mbeti i vrarë në Rinas disa vite më parë.

Emri i të riut u lakua pas ngjarjes së rëndë që ndodhi më 18 prill, natën kur Toshkezi u qëllua me armë të ftohtë nga Aksel Hoxhaj e Enzi Maze. Këta të fundit ndodhen në burg në pritje të verdiktit të drejtësisë.

E dashura e 20 vjeçarit të ndjerë u shpreh para hetuesve se ishte në fakt Arbër Murataj ai që ishte bërë shkas për nisjen e sherrit mes të rinjve. Murataj kishte ngacmuar në rrjetet sociale të dashurën e Stivenit muaj më parë e prej aty kishte nisur konflikti.

Arbër Murataj është lënë i lirë për mungesë të provave direkte, ndërsa do të jetë prokuroria ajo që do të shqyrtojë deklarimet e të riut, për të vendosur nëse do të ketë hapa të mëtejshëm.