Policia e Kosovës arreston “kokën” e grupit serb që sulmoi KFOR-in, 3 oficerë lëndohen gjatë operacionit

Një prej kokave të grupit paramilitar serb “Mbrojtja Civile” është arrestuar këtë të martë në Mitrovicën e Veriut, falë një operacioni të kryer nga policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla, i cili reagoi disa minuta pas rënies së sirenave të alarmit në Mitrovicën e Veriut.

Në pranga ka rënë Milun Milenkoviç- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit “Mbrojtja Civile” si dhe një ndër prijësit kryesorë që ushtroi dhunë ndaj pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të NATO-s, disa javë më parë në Zveçan. Si pasojë e oeracionit, tre oficerë të policisë së Kosovës kanë marrë lëndime.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.

Republika nuk do të zmbrapset.”-tha Zveçla.