Shokët e 18 vjeçarit të vrarë në aksident, protestojnë para gjykatës së Tiranës: Mos lironi shoferin

Miqtë e 18 vjeçarit Enjo Saliaj, kanë dalë këtë të mërkurë në protestë përballë Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar drejtësi për mikun e tyre të ndjerë, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në shkurt të këtij viti. 18 vjeçari ndodhej në zonën e Freskut duke udhëtuar me motor, në momentin kur një makinë e drejtuar nga Sildi Krashi e përplasi. Ky i fundit u largua nga vendi i ngjarjes si dhe braktisi automjetin, për t’u arrestuar më vonë nga policia e Tiranës.

Shokët e Saliajt kanë kërkuar vënien e drejtësisë dhe marrjen e vendimit për dënimin e shoferit që shkaktoi aksidentin tragjik.

Enio Saliaj është djali i Kudret Saliajt. 41 vjeçari u vra më  qershor 2021 nga Mexhit Picari, ish vjehrri i Kudret Saliajt. Ky i fundit ishte në proces divorci me bashkëshorten dhe u vra në mes të një lokali më 4 qershor, teksa priste seancën gjyqësore të radhës. I plagosur mbeti edhe avokati i Kudret Saliajt.