Nga videot e marrjes peng të tre oficerëve tek reagimet e politikës, situata e tensionuar në Kosovë

Rrëmbimi i tre oficerëve të policisë së Kosovës, ka shënuar një tjetër pikë të vështirë në situatën e tuburllt që po kalon Kosova javët e fundit.

Përmes një konference të jashtëzakonshme, zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani tregoi autoritetet janë të bindura se oficerët e rrëmbyer në territorin e Kosovës, në zonën e njohur si Bare.

“Njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë policorë kufitarë. Kidnapim klasik nga forcat serbe. Njësia patrulluese e kufirit ka qenë në detyrë zyrtarë ka qenë në e vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në territorin e Kosovës. Policët kanë parë se në atë lokacion kanë lëvizur persona të dyshuar, të maskuar, të armatosur dhe menjëherë njësitë policore kanë shkuar në asistencë, por me të shkuar kanë vërejtur vetëm veturën. Policia ka njoftuar të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, në mënyrë që të bëhet presion që zyrtarët policorë të lirohen. Një kidnapim i tillë nga forcat serbe që dëshirojnë ta mbajnë të destabilizuar veriun e vendit, ka ndodhur edhe në vitin 2011. Kidnapime të tilla klasike po ndodhin që t’i mbrojnë kriminelët, të cilët janë të kërkuar nga Policia e Kosovës, të cilët janë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale, kanë thyer rendin kushtetues”-tha Kelani.

Ndërkohë në Serbi, autoritetet atje shprehin bindje se tre oficerët e Kosovës janë arrestuar në territor serb, konkretisht në vendin e quajtur Gnjillica, në Rashkë.

Credit: Radio Evropa e Lirë

Politika e Kosovës ka reaguar ashpër me këtë akt të rëndë. I pari i cili reagoi qe Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla. Ai njoftoi se tre oficerët e policisë së kufirit u prangosën në territor të Kosovës, në shkelje të çdo ligji e norme ndërkombëtare.

Albin Kurti po ashtu reagoi, duke thënë se ky akt i Serbisë, vjen si një hakmarrje ndaj arrestimit të djeshëm të Milun Milenkoviç nga ana e policisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut. Kurti theksoi se oficerët po patrullonin një rrugë të njohur që përdorej për kontrabandë.

Presidentja Osmani tha se rrëmbimi i oficerëve është një dëshmi e qartë se Serbia vijon me logjikën e së kaluarës dhe nuk është e interesuar për paqe.

Në zonën e dyshuar ku janë rrëmbyer tre oficerët (në komunën e Leposaviqit), tanimë ndodhen forcat e KFOR-it. Ndërkohë ka patur një sërë raportimesh nga thuajse të gjitha mediat e Kosovës, se qeveria ka marrë vendim për ndalimin e mallrave serbë në Kosovë. Disa media kanë tentuar të konfirmojnë zyrtarisht lajmin, por deri më tani nuk ka një pranim zyrtar të lajmit.

Ngjarjet ndodhin në një kohë tepër të tensionuar për Kosovën, e cila mund të përballet me masa apo sanksione nga ana e BE-së, e cila ka njoftuar se pret ndryshimin e qasjes së kryeministrit Kurti, në de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Ende nuk ka një reagim nga faktori ndërkombëtar.