Rrëmbimi i 3 policëve, Kurti: Pse heshtin ndërkombëtarët, ngjarja ndodhi brenda territorit tonë

Këtë të enjte u mblodh në Prishtinë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në lidhje me rrëmbimin e tre oficerëve shqiptarë të policisë.

“Bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhet të merrej KFOR-i: është njësia speciale antiterroriste, që ata e quajnë Sai, dhe është njësia speciale ushtarake që ata e quajnë Kobra. Pra, Sai dhe Kobra janë njësitë që duket se kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe rrëmbimin”, tha Kurti.

Në përfundim të mbledhjes gjatë konferencës, kryeministri Kurti theksoi habinë e tij për heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë.

“Heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as de-eskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, po bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë…”-tha Kurti.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla, rikujtoi se përgjegjësi në vijnë kufitare ka edhe misioni paqeruajtës i KFOR-it.

“Të mos harrojmë që përgjegjësi për këtë vijë kufitare dhe sipas deklaratave të tyre është mbi të gjitha e KFOR-it”, shtoi Sveçla.

Kurti i është përgjigjur edhe letrës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i kërkoi që për veprimet në veri, të koordinohen me KFOR-in e EULEX-in.

“Mirëpo veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush, nuk janë punë e imja. Besoj nuk janë e asnjë zyrtari të BE po ashtu”.-tha Kurti.