Flasin qytetarët që u arrestuan nga serbët në Merdare: Ishim rrugës për Gjermani, policët na thanë është politike

Autoritetet serbe i kanë liruar 4 qytetarët shqiptarë të ndaluar në Merdare, ndërsa dy prej tyre kanë folur për median 48 orë pas ngjarjes. Dervish Maliqi e Esat Muqolli, thanë se ishin rrugës për në Gjermani kur u ndaluan nga policia serbe dhe u dërguan në Kushumli.

 “Civilët na kanë dërgu në stacion policor. Thojshin që s’ka asnjë akuzë me bazë, vetëm politikë”, tha Maliqi.

Po ky i fundit theksoi se nuk janë keqtrajtuar dhe se familjarët i kanë njoftuar për arrestimin. Mandej autoritetet serbe ua kanë marrë telefonat celularë.

“Jemi kanë t’u shku për Gjermani, si jemi dalë na kanë ndalu, na morën dokumentet veç na kanë thanë parkoje xhipin dhe na kanë shti në xhip na kanë çu në Kushumli, kemi nejt 2 orë skemi ditë kurgjë”, -tha Esat Muqolli.

Qytetari Dervish Maliqi shtoi se tanimë udhëtimin për në Gjermani do ta vijojë nga rruga përmes Malit të Zi e Kroacisë.