Zëdhënësi i BE-së Peter Stano pyetet për rrëmbimin e oficerëve kosovarë: Çështje urgjente, po e ndjekim nga afër

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian Peter Stano është pyetur këtë të enjte për rrëmbimin e tre oficerëve të policisë së Kosovës nga njësitë speciale serbe.

Si përgjigje, Stano tha se çështja është urgjente dhe po ndiqet nga afër. Zëdhënësi i BE-së shtoi po ashtu se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in, për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Kjo është çështje që po e ndjekim nga afër dhe është një çështje urgjente. Jemi në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in që është i rëndësishëm në këtë kontekst për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ne nxisim Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do t’i kontribuonte tensioneve të rritura”-tha Stano.

Kujtojmë se po këtë të enjte, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Kurti u shpreh ndër të tjera i habitur për mosreagimin e faktorit ndërkombëtar për ngjarjen e djeshme.