Fati i tre policëve të rrëmbyer, Kurti: Mesa duket prokuroria serbe ka hedhur poshtë akuzën për terrorizëm

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar këtë të premte se mesa duket, prokuroria serbe i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre oficerëve të rrëmbyer të Kosovës. Në fuqi gjithsesi, janë mbajtur akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

Aktualisht tre oficerët e kufirit po merret në pyetje në prokurorinë e Kralevës, qytet në jug të Serbisë.

Avokati serb: Afati ligjor për mbajtjen e oficerëve ka mbaruar

Avokati serb Çedomir Stojkoviç, pak më herët bëri publik numrat e prokurorisë e gjykatës në Kralevë, duke inkurajuar gazetarët që të pyesnin në lidhje me lirimin ose jo të oficerëve kufitarë të Kosovës. Avokati mbrojtës ka deklaruar se që prej orës 12:38 të kësaj mesdite, ka skaduar afati ligjor për mbajtjen e oficerëve.

“Është detyrë e gjykatës dhe e prokurorisë që t’i japin publikut dhe gazetarëve këtë informacion dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim. Këmbëngulja e gazetarëve do të detyrojë prokurorinë dhe MPB-në të dalin me një deklaratë publike. Nëse lirohen, ju sugjeroj pyetjen: “atëherë pse i arrestuat fare, në vend që thjesht t’i përcillnit për në Kosovë”. Nëse nuk lirohen, ju sugjeroj pyetjen: “a është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit”,ka shkruar avokati.