Detajet e aksidentit tragjik në rrugën Elbasan- Peqin, një 8 vjeçare shuhet, 5 të tjerë plagosen

Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan- Peqin, ku si pasojë e përplasjes së dy makinave, ka humbur jetën një vajzë 8 vjeçe me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Vogëlushja udhëtonte në makinë me të ëmën dhe motrën 11 vjeçe. Nëna së bashku me 11 vjeçaren ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në makinën tjetër e cila drejtohej nga një shtetas nga Kavaja, kanë mbetur të plagosur po ashtu dhe dy pasagjerë.

Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë lagështira në rrugë.

“Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Paulesh, shtetasja T. B., duke drejtuar automjetin tip “Golf”, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një shtetase e mitur 8 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtuese shtetasen T. B. Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasja T. B. dhe vajza e saj 11 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, edhe shtetasi A. H. dhe 2 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.”-njoftuan autoritetet.