A ka dashuri më të fortë, sesa ajo e një nëne për fëmijën…?
“Jeta ime, drita e syve të mi… të ka mami zemër, mami vetëm për ty jeton (qan)…”
Këto janë fjalët e një nëne, e cila mbyll sytë e i hap ato duke qëndruar në krah të të bijës 11 vjeçe. Eriselda po përballet me dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një prind… Olivia e saj, rrezikon të shuhet. E prekur nga një sëmundje e rëndë autoimune, Olivia është e intubuar dhe në luftë me vdekjen.
E kthetrat e vdekjes janë makthi që torturon këtë nënë. Eriselda, e vetme, nuk i ka mundësitë për të dërguar për kurim jashtë shtetit të bijën. E dëshpëruar, ajo qëndron pranë Olivias së saj. I puth kokën, i flet vajzës dhe qan… nuk ndalon dot së qari.
“Shpirt, dashuria e mamit, a do të flasësh me mamin? Do bëj çdo gjë për ty… o Zot, jeta mamit, ti do të shërohesh… (qan) O jeta ime mos qaj, se ti do të bëhesh shumë mirë. “-i thotë të bijës Eriselda.
Në pamundësi për të përballuar faturën financiare të transportit e kurimit, 120 mijë euro, kjo nënë i ka varur të gjitha shpresat tek shqiptarët.
Kush ma dëgjon thirrjen, ju lutem më ndihmoni, vajza është 11 vjeçe dhe në gjendje kritike për jetën… ju lutem, më ndihmoni”-thotë nëna e Olivias për “Shqiptarët për Shqiptarët”.
Fatma Naçi e vizitoi këtë nënë të vuajtur, për t’i dhënë shpresë e besim se shqiptarët do të bëhen bashkë për vogëlushen. E të shohësh një fëmijë në atë gjendje që ndodhet tani Olivia… lotët s’mund të mbahen.