Kriza e emigrantëve, rrëfimi prekës i një peshkatari: Në rrjetë gjeta trupin e pajetë të një foshnje

Teksa numri i emigrantëve që tentojnë të vijnë në Europë rritet, njëlloj rritet dhe numri i vdekjeve në Mesdhe. E teksa zyrtarët e unionit mundohen për t’i vënë fre eksodit, ata që arratisen nga varfëria apo persekutimi lënë pas gjurmët e tragjedive. Oussama Dabbebi, një peshkatar në Tunizi, është dëshmi e gjallë e tragjedisë me emigrantët. Ai po rregullon një rrjetë peshkimi, e ndërsa punon në fytyrën e tij dallohet njëlloj ankthi, pasi shpesh herë nuk janë vetëm peshqit ato që kap rrjeta e tij.

“Ndonjëherë rrjetat kapin trupa të vdekur. Herën e parë u frikësova, por më pas, me kalimin e kohës, u mësova. Pas njëfarë kohe, të gjeje një trup të pajetë në rrjeta, ngjante njëlloj sikur të gjeje peshk.”-rrëfen i riu.

Peshkatari 30 vjeçar tregoi për BBC-në se ka nxjerrë nga rrjetat e tij trupat e 15 emigrantëve, në një periudhë kohore prej 3 ditësh. Mes tyre edhe trupin e pajetë të një foshnje, ngjarje që e tronditi…

“Njëherë gjeta trupin e një foshnje… si mundet të jetë përgjegjës një bebe për diçka? Kur e gjeta nisa të qaj… për të rriturit është ndryshe, sepse ata kanë jetuar, por kur pashë fëmijën…”

Oussama Dabbebi ka peshkuar në ujërat e Tunizisë qëkur ishte 10 vjeç, pranë qytetit të Sfax-it. Ai tregon se dikur peshkimi ishte një punë që shumë njerëz e bënin, ndërsa tanimë shumë prej tyre, kanë vendosur që varkat t’ua shesin trafikantëve të emigrantëve për shuma të konsiderueshme.

“Në plot raste, trafikantët më kanë ofruar shuma të pabesueshme parash për të shitur varkën time. Gjihmonë kam refuzuar, sepse nëse ata do të përdornin varkën time e në të dikush do të mbytej… kurrë nuk do t’ja kisha falur vetes”-thotë për BBC-në peshkatari.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al