Agjensia Europiane e Hapësirës (ESA) publikoi së fundmi disa foto të Mërkurit, planeti më i afërt me diellin në sistemin tonë. Fotot u shkrepën nga sonda “BepiColombo” ndërsa pamjet tregojnë për një planet me sipërfaqen e tij të mbuluar nga krateret.
Misioni i sondës BepiColombo nisi më 2018 dhe ka arritur në destinacionin e tij final përgjatë rrugëtimit në brendësi të sistemit tonë diellor. Sonda ka përdorur gravitetin e planetëve si Toka, Venusi e Mërkuri për të udhëtuar drejt këtij të fundit.
Fotot tregojnë momentin kur sonda është afruar në një distancë prej 236 kilometrash nga sipërfaqja e planetit të Mërkurit.
Fakte interesante rreth Mërkurit
Mërkuri është planeti më i vogël i sistemit tonë dhe më i afërti me Diellin. Mërkuri është veçse pak më i madh se Hëna. Nëse do të qëndronim në sipërfaqen e këtij planeti, Dielli do të shfaqej tre herë më i madh (sesa në Tokë) ndërsa drita e yllit do të ishte deri në 7 herë më e fortë sesa në planetin tonë. Pavarësisht afërsisë së Mërkurit me Diellin, planeti nuk është më i nxehti në sistemin tonë diellor. Planeti më i nxehtë është Venusi, kjo për shkak të atmosferës së tij të dendur. Për shkak të orbitës eliptike dhe rrotullimit të Mërkurit, Dielli duket sikur lind, perëndon e më pas lind sërish, në disa pjesë të planetit.