Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat speciale serbe më 14 qershor në territorin e Kosovës, janë liruar.
Avokati i tyre mbrojtës Gradimir Nalliç, i cili i përfaqësoi ata në gjykatë, konfirmoi për REL se policëve u është ndërprerë paraburgimi dhe se së shpejti, ata do të jenë në Kosovë tek familjet e tyre.
Oficerët Beqir Sefa, Mustafë Shemi e Rifat Zeka, janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse”, një vepër e cila mund të dënohet deri me 12 vite burg.
Avokati mbrojtës ndërkohë shpjegoi se gjykata vendosi që oficerët të hetohen e mbrohen në liri. Ai tha se policët do të kthehen në Kosovë dhe shtoi se është në “interes të klientëve” që të mos japë më shumë informacione.
Gjykata në Kralevë ka konfirmuar ndërprerjen e masës së paraburgimit, një masë e cila nuk kishte afat kohor.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla, po ashtu reagoi mbi rastin, duke shkruar se pavarësisht lirimit të oficerëve, Serbia vijon të kërkojë përndjekjen e tyre.
“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë po ashtu ka reaguar mbi lirimin e tre policëve, ndësa argumentat e Serbisë për akuzën ndaj oficerëve, i ka cilësuar si të paqëndrueshme e të motivuara politikisht.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se tre oficerët policorë të rrëmbyer në Republikën e Kosovës më datë 14 qershor, z. Rifat Zeka, z. Beqir Sefi dhe z. Mustafë Shemi, janë liruar sot pas seancës të mbajtur në Gjykatën e Lartë të Kralevës.
Ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Republikën e Kosovës tek familjet e tyre.
Sipas avokatëve mbrojtës, në këtë seancë, Gjykata e Lartë e Kralevës ka konfirmuar Aktakuzën e Prokurorisë së Lartë të Kralevës ndaj tre oficerëve policorë, ku ngarkohen për kryerjen e veprës penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese,” sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodi Penal të Serbisë.
Prokurori nuk ka kërkuar që oficerëve policorë t’u vazhdohet paraburgimi, që Gjykata e ka pranuar, ku si rrjedhojë, u është lejuar të mbrohen në liri, respektivisht të kthehen në Republikën e Kosovës.
Theksojmë edhe njëherë se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht. Sic edhe është dëshmuar me prova të qarta, policët kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrën e tyre.