I mori jetën ish- bashkëshortes, burg përjetë për Elton Bengajn… pas mbeti një vajzë jetime

Gjykata e Apelit ka vendosur që Elton Bengaj të burgoset përjetë, për vrasjen e ish bashkëshortes së tij Sabrinës, krim i cili ndodhi më 2021 në Fier.

Çifti ishte lidhur në martesë në vitin 2017, martesë nga e cila erdhi në jetë një vajzë. Bashkëjetesa mes të rinjve u ndërpre në vitin 2020, e kjo për shkak të dhunës fizike që Elton Bengaj kishte ushtruar ndaj të resë. Sabrina së bashku me vajzën e mitur, shkuan të jetojnë në banesën e prindërve në fshatin Zhupan të Fierit.

Edhe pse të ndarë, Elton Bengaj ka vijuar të ushtrojë dhunë e terror ndaj ish bashkëshortes, një fakt për të cilin u arrestua më 2020-tën.

Në vitin 2021, Sabrina Bengaj ka marrë një urdhër mbrojtje nga gjykata e Fierit e cila kishte efekt deri më 14 tetor të atij viti. Por në mbrëmjen e datës 10 shtator të 2021, ish bashkëshorti Elton Bengaj ka hyrë në banesën e prindërve të ish bashkëshortes dhe e ka qëlluar këtë të fundit me kallashnikov. 23 vjeçarja po hante bukë në shtëpi dhe kur ka dalë është qëlluar me armë, duke mbetur e vdekur në vend.

Elton Bengaj është larguar nga vendi i ngjarjes përmes një motori, por disa orë më vonë është arrestuar fill edhe pas kërkesës së të atit për t’u dorëzuar.