Vrasja e babë e bir në Dukagjin, çfarë u gjet në vendin e ngjarjes dhe dy pistat kryesore të hetimit

Hetuesit janë rikthyer në zonën e thellë të Pultit, atje ku ditën e djeshme u ekzekutuan babë e bir, Gjokë e Eduart Gurra.

Nga ekspertiza e deritanishme, rezulton të jenë gjetur në vendin e ngjarjes 8 gëzhoja, duke lënë të menduar se personi që ka kryer krimin e dyfishtë, ka qenë një dhe i vetëm. Nuk përjashtohet mundësia se autori mund të jetë ndihmuar nga të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Dy javë pistat në të cilat po heton policia. Së pari është ajo e vrasjes për mbjelljen e lëndëve narkotike (kanabis) në zonë, kjo pasi 57 vjeçari Gjokë Gurra ka qenë punonjës policie e së fundmi kryeplak i fshatit. Autoritetet po verifikojnë nëse i ndjeri mund të ketë denoncuar ndonjë rast të kultivimit të kanabisit në zonë.

Pista e dytë është ajo aktivitetit tregtar të të ndjerëve. Babë e bir kishin një biznes të tregtimit të lëndës drusore.

Kujtojmë se babë e bir kishin shkuar në banesën e tyre në fshatin Sumë (në zonën e Pultit) për të parë dëmët e shkaktuara nga një zjarr. Zjarri besohet se është vënë qëllimisht si mënyra për të tërhequr babë e bir në këtë zonë të thellë.

Asnjë nga dy të ndjerët nuk kishte precedentë penalë, ndërsa Eduarti la pas dy fëmijë.