Video, Franca në kaos pas protestave e revoltave për vrasjen e 17 vjeçarit nga oficeri policisë

Të paktën 875 persona janë arrestuar në Francë, teksa policia përplaset në të tretën ditë radhazi me protestues të revoltuar për vdekjen e një adoleshenti 17 vjeçar.

Në Paris një sërë dyqanesh janë grabitur ndërsa dhjetëra makina janë vënë në zjarr nga protestuesit.

Në Marsejë ndërkohë, autoritetet publike kanë dalë me vendim për të ndaluar demostratat. Presidenti i Francës Emmanuel Macron po mban këtë të premte një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi dhunën në protestat e ditëve të fundit, e cilësoi si “të pajustifikueshme”. Kryeministrja e Francës Elisabeth Borne deklaroi se “të gjitha opsionet” janë duke u konsideruar nga qeveria, kur ajo u pyet nga gazetarët nëse do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.

Kujtojmë se të martën një oficer i patrullës qëlloi për vdekje një 17 vjeçar me origjinë nga Algjeria, i quajtur Nahel M. I riu ishte ndaluar nga patrulla por në një moment ka tentuar të largohet me makinë. Pikërisht në këtë çast, një nga dy oficerët e ka qëlluar në gjoks, duke e lënë të vdekur. Oficeri që qëlloi akuzohet për vrasje, ndërsa avokati i tij është shprehur se polici ka kërkuar faljen e familjes së adoleshentit dhe se ndihet “i shkatërruar” nga ajo që ndodhi.