Valë që “shtrembërojnë” kohën dhe hapësirën… Shkencëtarët regjistrojnë valët e shkaktuara nga bashkimi i dy galaktikave

Shkëncëtarët kanë mundur të regjistrojnë valët e goditjes së dy vrimave të zeza në qendrat e dy galaktikave, teksa formacionet masive qiellor nisën “vallëzimin” e tyre. Kjo mund të jetë hera e parë në historinë e shkencës, që dy vrima të zeza supermasive vërtetohet teksa ‘shtrembërojnë’ strukturën e hapësirës e kohës. Në disa prej teorive të propozuara, kjo është dhe mënyra sesi mendohet se galaktikat në Univers zmadhohen. Sipas vëzhgimeve të viteve të fundit, “përplasjet” mes vrimave të zeza dhe valët që prodhohen mund të “dëgjohen” gjatë gjithë kohës, përgjatë gjithë Universit të vëzhgueshëm.

Një prej shkencëtarëve që kreu zbulimin, profesor Michael Kramer i Institutit Max Planck në Bonn (Gjermani), tha për BBC-në se kjo ngjarje ka gjasë të ndryshojë një seri idesh dhe mendimesh në astronomi.

“Mund të na tregojë se teoria e Ajnshtajnit për gravitetin është e gabuar; mund të na tregojë në lidhje me atë që njihet si materia e zezë apo energjia e zezë, elementet misterioze që përbëjnë një masë të madhe të Universit; dhe mund të na shërbejë si një dritare drejt teorive të reja të fizikës”-tha Kramer.

Doktor Rebecca Boëler, e Universitetit të Manchester-it, tha për BBC-në se studiuesit besojnë se në qendër të çdo galaktike ka një vrimë të zezë supermasive dhe se këto të fundit vijojnë të rriten përgjatë miliarda viteve kohë. Deri më tani, kjo ka qenë veçse një teori.

“Ne e dimë se vrimat e zeza supermasive janë atje, ne thjesht nuk e dimë sesi janë aty. Një mundësi është se vrima të zeza më të vogla bashkohen për të krijuar vrima të zeza supermasive, por mbi këtë argument ka patur pak prova. Gjithsesi me këtë vëzhgim të ri, do të mund të shohim për herë të parë sesi ndodhin këto bashkime dhe ky rast do të na japë të dhëna konkrete”-shpjegoi ajo.

Vëzhgimi i këtyre valëve që ‘shtrembërojnë’ vetë hapësirën e kohën, u bë i mundur falë vëzhgimit të Pulsarëve, yje të vdekur që rrotullohen dhe lëshojnë sinjale radio me intervale ekstremisht të sakta.

Shkencëtarët panë se sinjalet e Pulsarit po vinin më shpejt seç duhet në Tokë ose në rastë të caktuara më ngadalë seç duhet. Vëzhguesit argumentuan se ky shtrembërim në kohë ndodh për shkak të valëve gravitacionale që kanë lëshuar dy vrimat e zeza supermasive të galaktikave që janë pranë përbashkimit.

Valët gravitacionale që janë zbuluar më parë nga shkencëtarët (ekzistenca e tyre është konfirmuar vetëm në vitin 2015) janë aq të fuqishme saqë mund të vijojnë për miliarda vite, derisa vrimat e zeza që i shkaktojnë të bëhen njësh. Valët e reja të vëzhguara së fundmi, kanë konfirmuar se një fenomen i tillë mund ta gjejmë thuajse kudo në Univers, ndërsa valët shkaktojnë një lloj “gumëzhime” që e gjen në çdo kohë.

Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al