“Shkova për të blerë cigare” La 1 vjeçaren të vetme në banesë, shqiptarja dënohet nga gjykata në Selanik

Një 37 vjeçare me origjinë nga Shqipëria është dënuar me 6 muaj burg nga drejtësia greke, nën akuzën e rrezikimit të vajzës 1 vjeçare, të cilën e kishte lënë të vetme në shtëpi për të shkuar në market.

Media vendase raportoi kur policia mbërriti në vendngjarje, iu desh të priste afro 20 minuta derisa erdhi gruaja (37 vjeçarja vonoi afro 1 orë). Autoritetet ishin njoftuar nga fqinjët, të cilët dëgjuan të qarat e vajzës.

“Fillimisht menduam se mos po flinin dhe vijuam t’i biem ziles. Pas afro 20 minutash një grua erdhi dhe na tregoi se fëmija ishte i saj. I thamë se kishim afro 20 minuta aty dhe donim të shikonim nëse fëmija ishte mirë”-tregoi një prej oficerëve në dëshminë e tij.

37 vjeçarja i tregoi oficerëve se kishte shkuar në market për të blerë cigare dhe se nuk kishte ku ta linte vajzën.

Gruaja nuk është paraqitur në gjykatën e Selanikut, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës. Ky i fundit tregoi se gruaja është tronditur nga ngjarja, se ajo jeton e vetme pasi është divorcuar nga i shoqi dhe se nuk kishte ku ta linte vajzën në kohën kur iu desh të bënte pazar në supermarket.