Një vogëlushe me origjinë nga Shqipëria është shuar në spital, pasi qëndroi në gjendje të rëndë prej 18 ditësh. Fjala është për Leila Kurtin, veçse 6 vjeçe. Leila udhëtonte me prindërit e saj nga Reggio Emilia e Italisë fqinje, për të ardhur në Shqipëri në një dasëm. Më 14 qershor makina e familjes Kurti pësoi një aksident të rëndë në Bolonja, pasi u godit nga një tjetër automjet.
Leila ishte në makinë me nënën, babain dhe motrën 4 vjeçe. Ajo mori lëndime tepër të rënda dhe për 18 ditë qëndroi në reanimacion… derisa ditën e djeshme u shua.

Prindërit dhe vajza tjetër po ashtu mbetën të lënduar, por veçse babai i të ndjerës pësoi disa fraktura.
Media italiane “Reggiosera” shkruan se babai i 6 vjeçares së ndjerë, Gentian Kurti (41 vjeçar) ishte i njohur në San Polo. Ai jetonte së bashku me familjen e tij që prej vitit ’98 atje, drejtonte një servis për makina e po ashtu ishte dhe këshilltar bashkiak që prej 2018. Bashkëshortja e shqiptarit ndërkohë, punonte në një restorant.
“Reggiosera” shkruan se vdekja e Leilës së vogël, është tragjedia e dytë që përjeton çifti, pasi kohë më parë ata kishin humbur një djalë (Marko), i cili po ashtu ishte 6 vjeçar.