Kurrë nuk do ta harrojë momentin kur pa për herë të parë djalin… momentin kur e mori në krahë për herë të parë e herën e parë kur e vendosi në gji. Kujtime të tilla janë të shenjta për çdo nënë… por për Armandën, një hije e madhe i ka mbuluar këto kujtime të gëzueshme… Geani i saj, veçse 3 muajsh, mund të shuhet nga momenti në moment.
Ky ëngjëll i vogël erdhi në jetë me një infeksion në mushkëri, një infeksion që tanimë ia rrezikon seriozisht jetën. Prej tre muajsh e në vend të gëzimit për djalin e saj të dytë, Armanda me të shoqin janë zhytur në dëshpërim, në dhimbje që veç ata mund t’i kuptojnë. E në veçanti zemra e kësaj nëne, e cila prej 3 muajsh qan natën e ditën….
“Qëkur ka lindur djali, ka patur një infeksion shumë të lartë. E kemi sjellë në reanimacion, por gjendja e tij është rënduar. Nuk e prisja asnjëherë që të përfundoja këtu me djalin… Kemi tre muaj, vetëm në spital… tre muaj duke qarë tërë natën e ditën (qan), duke iu lutur të madhit Zot bëj mrekullinë…
Fëmija është dhurata më e bukur që Zoti i fal çdo nëne. Ka një vëlla që e pret në shtëpi, që e merr në telefon, që na pyet kur do të shërohet vëllai.”-tregon Armanda
E dhimbja bëhet edhe më e madhe për këtë nënë, e cila nuk i ka mundësitë ekonomike për ta dërguar për kurim jashtë shtetit të birin e saj. E dëshpëruar dhe e mbytur nga dhimbja, ajo zgjat dorën e lutjes drejt shqiptarëve bamirës.
“Djali është në rrezik për jetën. Duhet një trajtim më i specializuar që t’i shpëtojmë jetën. Shuma që na kanë thënë, ne nuk mundëmi (qan)… s’mundemi ta përballojmë. Nuk dua që im bir të humbasë jetën… ju lutemi të gjithë shqiptarëve, i lutemi madhit Zot… të na ndihmojnë.”-rrëfen nëna e Geanit.