Rrëfimi i një nëne nga Srebrenica: Sillni të paktën dy kocka dhe varrosni, që të dihet se fëmija im ka jetuar

Fadila Efendiq vjen pothuajse çdo ditë në vendin ku u nda me të shoqin Hamedin, e me të birin e saj Fejzo…më korrik të vitit 1995. Fejzo u vra pak ditë para se të mbushte 20 vjeç. Në një rrëfim të ndjerë për REL, kjo nënë tregon dhimbjen që bart prej vitesh.

Këtë të shtunë afro 4 mijë veta nisën marshin solemn mespërmes pyjeve në lindje të Bosnjes, në kujtim të masakrës së vitit 1995. Në një rrugëtim prej afro 100 kilometrash, marshi kalon pikërisht në vendet ku jetët e mijëra burrave e djemve të boshnjakëve muslimanë, u shuan barbarisht nga forcat boshnjake serbe.

Më 11 korrik (dita përkujtimit të masakrës) 30 familje do t’i varrosin eshtrat e gjetura të familjarëve të tyre. Trupat e pakompletuar u gjetën në disa varreza. Disa pranojnë të varrosin qoftë edhe një kocke të familjarëve të shuar, ndërsa të tjerë presin. Afro 1 mijë viktima të gjenocidit ende nuk janë gjetur.