Më 31 gusht do të mbushte 22 vjeç, por plagët e rënda që mori në trup si pasojë e një aksidenti rrugor, ia morën jetën të riut shqiptar në Italinë fqinje. Thuajse 3 muaj pas aksidentit të rëndë që pësoi në Trento, është shuar Kevin Kuka.
Makina ku udhëtonte i riu (me disa miq) u përplas me një kamion i cili kishte ndaluar në rrugë për disa rregullime. Si pasojë e përplasjes së fortë 21 vjeçari doli nga makina, duke marrë lëndime serioze në trup.
Ai u shtrua në spital më 20 prill dhe prej disa javësh ndodhej në reanimacion, në luftë për jetën. 21 vjeçari nuk ia doli dot, duke u dorëzuar ditën e djeshme.
I riu ishte lojtar i ekipit Virtus Bolzano. Vdekja e tij tragjike solli trishtim e dhimbje në mbarë komunitetin. Shokët e skuadrës së të riut si dhe tifozët shpesh kishin veshur fanella me mbishkrime “Forca Kevin” në shenjë përkrahje për 21 vjeçarin.

Pas lajmit për vdekjen e tij, dhjetëra mesazhe ngushëllimi për familjen, ndërsa shumë prej shokëve ende nuk e besonin se 21 vjeçari ishte larguar nga kjo botë.
“Më duket e pamundur të mos të të shoh më dot në stërvitje, të më përshëndesësh me një buzëqeshje… do të na marrë malli për ty”-shkroi një ndër miqtë e të ndjerit.
“Kudo që të jesh, faleminderit për të gjitha ato që dhurove për ne”-shkruhej në mesazhin e postuar nga skuadra e futbollit Virtus Bolzano.