Pamje video, reshje të dendura e vërshime me të paktën 1 të vdekur në Nju Jork

Teksa thuajse të gjitha vendet e Evropës përfshihet nga vala eksteme e të nxehtit, në disa zona të Amerikës së Veriut kanë filluar reshjet masive dhe përmbytjet.

Veçanërisht në Nju Jork, atje ku deri më tani autoritetet kanë konfirmuar për mbytjen e një personi si pasojë e vërshimeve të fuqishme. Një thirrje urgjente i është drejtuar qytetarëve që jetojnë nëpër apartamente përdhesë, që mund të rrezikojnë jetën nëse nuk largohen në kate më të larta. Po ashtu autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët që të evitojnë daljet nëpër rrugë, kjo për shkak të vërshimeve të shumta.

Lugina Hadson në pjesën juglindore të Nju Jorkut ishte dhe zona më e prekur nga reshjet masive të shiut. Një person ndërroi jetë në qytezën e Hajlands, lajm të cilin e konfirmoi senatori i shtetit James Skoufis. Ky i fundit shtoi se “po bëhen përpjekje për të identifikuar nëse ka të tjera viktima, pasi infrastruktura e disa shtëpi u morën përpara nga vërshimet e ujit”.

“The Washington Post” raportoi se në disa zona, shumë rrugë janë të pakalueshme për shkak të përmbytjeve. Në qarkun e Ontarios afro 13 mijë persona kanë mbetur pa drita si pasojë e stuhive të fuqishme.

Autoritetet e shërbimit meteorologjik atje, thonë se pritet të ketë sërish përmbytje, në zona si Manhatan dhe Bronks.