A do të thyhet sërish rekordi i nxehtësisë… e gjithë Evropa nën “pushtetin” e të nxehtit ekstrem

Më gusht të vitit 2021 në Sirakuzë të Italisë fqinje u regjistrua një temperaturë rekord për Evropën, plot 48.8 gradë celcius.

E tanimë me valët e nxehtësisë që kanë ‘pushtuar’ një pjesë të konsiderueshme të Mesdheut, duket se rekordi historik mund të thyhet. Vala e të nxehtit e quajtur ‘Cerberus’ përfshiu jugun e Evropës dhe veri-perëndimin e Afrikës dhe pritet që në ditët në vijim një tjetër valë e të nxehti të godasë (e quajtur “Charon” nga agjencia meteorologjike italiane).

Në Itali e Spanjë veçanërisht, i nxehti ka qenë i papërballueshëm. Në Italinë fqinje, autoritetet kanë ngritur kodin e kuq për të paktën 10 qytete (përfshi Romën, Bolonjën e Firencen) pasi pritet që temperaturat të kapin rekordin prej 48.8 gradë celcius. Të martën një punëtor ndërroi jetë në veri të Italisë, pikërisht si pasojë e vapës.

Spanja ndërkohë ka patur temperatura deri në 45 gradë celcius. Një imazh satelitor i misionit të BE-së (Kopernikus) tregoi se temperatura e tokës në një rajon të Spanjës kishte kapur 60 gradë celcius.

Vala e të nxehtit pritet të vijojë përgjatë fundjavës dhe pas largimit të ‘Cerberus’, autoritetet italiane kanë njoftuar për ardhjen e një tjetër vale të të nxehtit me temperatura që pritet të shkojnë deri në 47 gradë celcius.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al