A duhen mbyllur apo kufizuar rrjetet sociale për fëmijët në Shqipëri?

Vrasja e Martinit 14 vjeçar pak metra larg derës së shkollws 9 vjeçare ‘Fan Noli’, është me siguri arsyeja më tragjike por jo e vetmja, në vargun e shumë e shumë arsyeve se përse në Shqipëri, do të duhet të ndodhë një diskutim.

Një diskutim që sot e bën e gjithë bota… sa po ndikojnë rrjetet sociale në jetët e të rinjve? A duhet kufizuar aksesi i fëmijëve të mitur në këto rrjete apo duhet shkuar një hap më tutje, drejt mbylljes së plotë të rrjeteve sociale për moshat e reja?

Prej vitesh tashmë, studiues në vende të ndryshme të botës, kanë ngritur alarmin se qysh prej shfaqjes e mandej masivizimit të shpejtë të rrjeteve sociale, janë vënë re rritje të ndjeshme të fenomeneve negative në shoqëri. Më domethënësja është rritja e numrit të vetëvrasjeve tek moshat e reja, një fenomen i cili regjistrohet dhe ka zë të posaçëm në statistikat që përpilon çdo shtet. Me ardhjen e rrjeteve sociale në kapërcyell të dekadës së parë të këtij shekulli, numri i suicideve në mesin e të rinjve është rritur. Të shumtë janë studiuesit që besojnë dhe argumentojnë me prova, se një ndër shkaktarët kryesore të kësaj rritje, janë rrjetet sociale.

Studime të ndryshme përtej oqeanit (në SHBA), kanë vënë re shtimin e vetëvrasjeve tek meshkujt, e posaçërisht tek vajzat e reja, të cilat rezultojnë se përballen me trysninë më të madhe mes realitetit të përditshëm dhe atij virtual.

Të tjera aspekte domethënëse kanë të bëjnë me fenomene që para se të vinin mediat sociale, nuk ishin vënë re asnjëherë në këtë masë. Njëra syresh, ka të bëjë me kohëzgjatjen e vëmendjes që njerëzit i kushtojnë diçkaje apo dikujt.

Me ardhjen e rrjeteve sociale e mandej “perfeksionimin” e metodave për të mbajtur të gozhduar para ekranit këdo që ka një celular, është vënë re se vëmendja që mundet “të prodhojë” një mendje njerëzore, është fragmentarizuar e në rastin më të keq, tkurrur në veçse pak sekonda.

Sot ne jemi mësuar të shohim të vogël e të madh të qëndrojë për orë të tëra para ekranit, duke lëvizur veçse njërin gisht, i mjaftueshëm për të konsumuar dhjetëra e qindra video të formatit të shkurtër. Të tilla video të formatit të shkurtër, janë kthyer sot për rininë dhe jo vetëm, në ushqimin e përditshëm të mendjes.

Por a është ky ushqim i shpejtë dhe i pafundëm në sasi, ushqimi më i mirë që mund të konsumojë mendja e njeriut, veçanërisht mendjet në zhvillim e sipër të fëmijëve e të rinjve?

Vende si Australia, gjykojnë se qasja e fëmijëve në këto lloj përmbajtjesh e formatesh, sjell veçse dëme. Për këtë arsye kryeministri i vendit është shprehur se qeveria e tij po bëhet gati të kalojë një paketë ligjore që do t’ua pamundësojë të gjithë të rinjve nën moshën 16 vjeç, krijimin apo pasjen e rrjeteve sociale.

Në prezantimin e tij, kryeministri i Australisë foli qartë duke thënë se rrjetet sociale po i bëjnë dëm rinisë së vendit, diçka që ai nuk ishte më i gatshëm ta toleronte.

Vende tjera si Franca apo Spanja po shfaqin të njëjtën qasje, ndërsa vende tjera shprehen të gatshme veçse për të filtruar përmbajtjen dhe për të vendosur barriera më të forta në mbrojtje të të miturve.

Debati mbi rrjetet sociale është tanimë një çështje që diskutohet prej mëse 10 vitesh, por në Shqipëri, vëmendja kushtuar kësaj problematike, nuk ka zënë kurrë asnjëherë rrënjë të forta.

A do të duhet të presim për të tjera tragjedi si ajo e 14 vjeçarit, që ky diskutim të krijojë rrënjë në çdo familje e institucion të këtij vendit? A e ka më ‘luksin’ Shqipëria të presë dhe të mos e kërkojë një zgjidhje?

Gjithçka mbetet për t’u parë. Në këtë vend të vogël, brenda ditës prodhohen qindra mijëra lajme e përmbajtje nga më të ndryshmet, të mjaftueshme për të permbytur një botë të tërë… kurse e nesërmja gdhin për t’i lënë vendin mijëra tjerave.