A ju kujtohet “Foshnja mrekulli”? Si është sot Afraa, vajza që lindi poshtë rrënojave të tërmetit të shkurtit në Turqi e Siri

6 muaj më parë, e gjithë bota do të bëhej dëshmitare e një prej tërmeteve më të frikshme të të gjitha kohërave. Lëkundjet me magnitudë të 7.8 e mandej 7.6 të shkallës Rihter në Turqi, do t’i merrnin jetën dhjetëra mijëra njerëzve e jo vetëm në Turqi. Prej lëkundjeve u prek rëndë dhe Siria. Me nisjen e operacioneve të kërkim shpëtimit, u bëmë dëshmitarë të dhjetëra qindra jetëve të shpëtuara, por njëri rast, ishte ndryshe nga gjithë të tjerët.

Rasti në fjalë, ishte i një foshnje që kishte lindur në rrënojat e tërmetit. Ajo foshnje mori emrin e “mrekullisë” dhe historia e saj preku zemrat e miliona njerëzve.

Kanë kaluar tashmë 6 muaj dhe sot “foshnja mrekulli” e quajtur Afraa, gëzon shëndet të plotë dhe jeton e lumtur. Vogëlushja mbeti jetime, pasi nëna, babai motrat e vëllezërit e saj, të gjithë humbën jetën për shkak të tërmetit.

Sot vogëlushja jeton me familjarët e babait në qytetin e Jindayris (Siri), jo shumë larg kufirit me Turqinë. BBC i ka kushtuar një artikull vogëlushes e cila duket krejt fëmijë tjetër nga pamjet e shkurtit, kur në ditët e saj të para të jetës, ajo qëndroi në spital dhe nën kujdesin e mjekëve që i kuruan plagët.

“Ajo është ende shumë e vogël, por buzëqeshja e saj na kujton prindërit e saj të ndjerë, veçanërisht të nënës së saj.”-tha xhaxhai i vogëlushes, Khalil al-Sawadi.

Ky i fundit e kujton në detaje momentin e dhimbshëm kur largoi nga trupi i pajetë i nënës vogëlushen, e cila ende ishte e lidhur me kordonin umbelikal.

“Tavani kishte rënë mbi ta. Dikush më thirri dhe më tha se kishin gjetur trupin e një gruaje. Sapo shkova atje nisa të gërmoj, aty dëgjova një zë. Afraa ishte ende e lidhur me nënën. Ishim të vendosur ta shpëtonim, e dinim se ajo do të ishte e mbijetuara e vetme e familjes së saj”-shtoi më tej Khalil.

Tanimë Afraa është shëndoshë e mirë dhe jeton në një familje me plot fëmijë të tjerë, kushërinjtë e saj.

“Kur të rritet, do t’i tregoj se çfarë ndodhi… do t’i tregoj foto të nënës së saj, babait, motrave e vëllezërve të saj.”-tha më tej xhaxhai.