Abuzimi në Onkologjik, hetimi: Raste kur pacientëve u reduktoheshin dozat e kemios, tepricat shiteshin

Të tjera detaje të rënda janë bërë publike në lidhje me skemën e abuzimit të disa mjekëve e punonjësve në spitalin Onkologjik të Tiranës.

Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, ka rezultuar se punonjësit në repartin e kemioterapisë, nuk u jepnin të plota kurat pacientëve në kemioterapi, por tepricat i nxirrnin jashtë institucionit për t’i dërguar në farmaci, të cilat mandej i shisnin me çmime të larta.

“Nga ana e specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar janë marrë informacione në rrugë operative se shtetasi Devis Beqiri merrej me tregtimin dhe shpërndarjen e barnave, të cilat janë kontrabandë. Këto barna vijnë kryesisht nga Italia dhe Greqia, por ka dhe barna turke që kalojnë nga pika të ndryshme doganore.”, sqarohet në dosje.

“Një medikament për kimion është më shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 euro deri në 1500 euro. Përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregtohet jashtë ambienteve spitalore që është e palejuar në legjislacion dhe ka raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel si ‘Kapa’ ku bëhet përzierja e medikamenteve të kimios mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërhiqte medikamentin, edhe pse nuk është radha e tij për kurim, por në listën e pritjes është një person tjetër.”, sqarohet më tej në dosje.